Ka nisur në Gjykatën e Durrësit seanca gjyqësore për të dhënë masën e sigurisë ndaj stomatologes Olesia Duka.

38-vjeçarja, stomatologe e njohur në Tiranë, akuzohet se i ka marrë një biznesmeni durrsak shumën prej 900 mijë eurosh, përmes gënjeshtrës dhe shpërdorimit të besimit.

Nga materialet hetimore paraprake të mbledhura ekzistojnë dyshime të arsyeshme të mbështetura në prova se nga autori i veprës penale O.D. (madhor) është kryer vepra penale e “Mashtrimit” parashikuar nga neni 143/3 i Kodit Penal, i cili me anë të veprimeve të gënjeshtrës dhe shpërdorimit të besimit vazhdon të mos kthejë shumën e parave të marra duke kryer në këtë mënyrë veprën penale ndaj të dëmtuarit I.H. që nga njohja mes tyre në nëntor 2016”, thotë prokuroria.

Prokuroria ka dyshime se në të njëjtën mënyrë janë mashtruar edhe disa persona të tjerë. Me kërkesë të prokurorisë, gjykata urdhëroi sekuestrim edhe ndaj disa pasurive në Tiranë të stomatologes, por edhe të familjarëve të saj, që kapin një vlerë prej 300 mijë eurosh, ose sa 1/3 e detyrimit.

Sektori për Pastrimin e Parave, më datë 26.02.2018 kreu ekzekutimin e vendimit të Gjykatës të Shkallës së Parë, Durrës për vendosjen e sekuestros preventive të katër apartamenteve në Tiranë e Durrës, si dhe një klinikë dentare në Tiranë, në pronësi të saj, pasuri të dyshimta dhe që nuk justifikohen me burime të ligjshme.