Të tjera detaje dalin nga sasia e madhe e kokainës që u sekuestrua mbrëmjen e djeshme në Portin e Durrësit.

Sipas informacioneve paraprake, “DurrësLajm” mëson se në një kamion të ngarkuar me banane të ardhur nga Kolumbia, që ishte nisur drejt Italisë, u gjetën të fshehura mbi gjysmë ton kokainë, sasi kjo rekord, më e madhja e kapur ndonjëherë në territorin shqiptar.

Sasia e kokainës prej 613 kg ishte futur në Shqipëri tre ditë më parë, ndërsa polica shqiptare ishte vënë në dijeni nga agjencitë partnere jashtë vendit, nga Spanja, Gjermania dhe Holanda, që një sasi e madhe droge do të hynte në Shqipëri.

Nëse droga do të dilte në treg për shitje, vlera e saj kapte shifrat e 25 milionë eurove.

Lidhur me këtë rast ishte vënë në dijeni edhe Prokuroria e Krimeve të Rënda. Ndërkohë mbrëmë në darkë është bërë i mundur kontrolli i kamionit, ku transportohej kokaina. Gjatë natës u peshua sasia e drogës, procedurë që u mbikëqyr edhe nga një prokuror i Krimeve të Rënda. Në polici janë shoqëruar disa persona.