Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati mori pjesë në takimin e tretë të Ministrave të Jashtëm të Shqipërisë, Italisë dhe Serbisë që u mbajt në Beograd nën kujdesin e zëvendëskryeministrit të Parë dhe Ministrit të Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç.
Gjatë diskutimeve në takim, Ministrat morën në shqyrtim arritjet e kësaj nisme dhe bashkëbiseduan mbi drejtimet e ardhshme të punës në kontekstin e dinamikës së evropianizimit të rajonit. Diskutimet u përqendruan në qasjen e përbashkët të vendeve të rajonit dhe bazuar mbi avokatinë e Italisë për një rigjallërim të politikës së zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor dhe Strategjinë e publikuar së fundmi nga Komisioni Evropian, si një dokument që e vë theksin në jetësimin e ëndrrës integruese të rajonit.
“Axhenda trilaterale ka kontribuar në konsolidimin e bashkëpunimit politik mes vendeve tona, si dhe ka ndihmuar në ndërtimin e një imazhi të ri që bazohet në bashkëpunimin rajonal dhe vënien në jetë të politikave dhe projekteve të BE-së në Ballkan me mbështetjen e drejtpërdrejtë të Italisë dhe BE-së.”, theksoi Ministri Bushati në ndërhyrjen e tij.





