Shumëkush ka mbetur mbrëmë i habitur, i shokuar, i tmerruar kur ka parë ish-presidentin e vendit të vet për 5 vite dhe kryeministrin e Shqipërisë për 8 vite, të ndërhynte në emision live si një keqbërës ordiner. Pavarësisht se tema e emisionit të Eni Vasilit ishte krejt tjetër gjë, Berisha e quajti si pa të keq gazetarin Artan Hoxha, si vrasës dhe zhdukës dëshmitarësh. Megjithëse ky i fundit i’a ktheu një më një reston, duke i përmendur vrasjet e Tropojës, zhdukjen e Remzi Hoxhës dhe së fundi tentativën për të mbuluar krimin e 21 janarit, pyetja që mbetet pezull është: Ç’ishte ky shpërthim prej një njeriu anormal? Si mund të ndërhyjë një politikan i rangut të tij, në emisionin e një televizioni lokal dhe të replikojë me një gazetar të kronikës së zezë?
Në asnjë vend të botës së qytetëruar, sado që të kërkosh, nuk gjen shembuj ku absurdi të këtë mbëritur deri në këto limite.
Po atëherë ç’ndodhi?
Shumë kolegë të majtë e kanë shpjeguar përplasjen e djeshme si një inat të akumuluar të ish-kryeministrit të 21 janarit, ndaj gazetarit që nxori me zë dhe me figurë, provën e pakundërshtueshme të vrasjeve që ishin bërë nga selia e Kryeministrisë.
Pa dyshim që kjo e shkuar e përbashkët ka ndikuar në emocionalitetin e Berishës. Ajo e ka bërë atë të marrë flakë dhe të ndërsehet keqaz.
Por arsyeja më e thellë e këtij shpërthimi iracional duhet kërkuar ndoshta më tej. Pikërisht te marrëveshja e detit për të cilën po flitej në studio përpara se Berisha të futej në linjë telefonike.
Shkak u bë një deklaratë e Artan Hoxhës, që kërkoi nga Prokuroria të nisë menjëherë hetimet për Berishën, pas akuzave të këtij të fundit për një nga negociatorët e marrëveshjes Shqipëri-Greqi. “Prokuroria duhet të nisi urgjentisht hetimin pas deklaratave të Berishës. Ose ky i fundit ka të drejtë dhe Artur Meçollari ka qenë spiun dhe duhet të japë llogari, ose Berisha duhet dënuar për shpifje”, tha Hoxha.
Menjëherë pas kësaj, u bë nami. Dhe kjo jo vetëm për faktin e thjeshtë se atë deklaratë e bëri ish-gazetari që zbuloi krimin e 21 janarit, por për faktin se Berisha po tregon që bëhet gjithnjë e më nervoz nga biseda se ai e ndau në mënyrë të padrejtë detin me grekët. Sa herë në publik hapet tema e faljes së plot 250 km det për Greqinë, ish-kryeministri del nga binarët. I bindur se kjo histori së bashku me rrënjën e shtetit në ‘97-n, me vrasjet e 21 janarit do ta ndjekë nga pas si një nga njollat më të errëta të karrierës së tij plot ulje-ngritje.
Dhe këtu ndoshta duhet kërkuar arsyeja e vërtetë e tërbimit të tij.
Marrë nga "Lapsi.al"





