Në kohën që vendi po jep shenja pozitive në rrugën e daljes nga kriza, qeveria e Aleksis Tsipras në Greqi ka marrë një goditje të dyfishtë, me largimin brenda pak orësh, të dy ministrave.
Pas ministres Alternate të Zhvillimit, që dha dje dorëheqjen, për shkak se merrte subvencionim për qiranë e banesës, sot paradite është komunikuar edhe dorëheqja e bashkëshortit të saj, ministër i Ekonomisë dhe Zhvillimit, Dimitris Papadimitriou.
Ky i fundit shpjegoi se akti i tij bëhet për arsye morale.
Çifti Papadimitriou – Antonopoulou ka të ardhura vjetore më shumë se 400 mijë euro, falë karrierës së tyre akademike në Shtetet e Bashkuara.
Dhe gjatë periudhës trevjeçare që ndodheshin në post, kanë dhënë kontribute të rëndësishme në fushën e tyre.
Mirëpo, fakti se ata përfitonin subvencion 1000 euro në muaj për banesën e tyre në lagjen e shtrenjtë Kolonaki, e ka irrituar opinionin.
Janë me mijëra njerëzit në nevojë të cilët nuk marrin subvencionime dhe asistencë sociale, për shkak se nuk përmbushin kriteret shumë të rrepta për të ardhurat e tyre të mjerueshme.
Edhe pse subvencionimi që përfitonte çifti bëhej në bazë të një amendamenti të veçantë, në Greqinë e krizës dhe të revoltës mbarëpopullore, kjo konsiderohet si “pika e ujit që e derdh gotën”.
Vendimi i kryeministrit Tsipras për ta shfuqizuar këtë amendament, vlerësohet se nuk mund të neutralizojë zemërimin e njerëzve të thjeshtë.
Largimi i dy ministrave ka shumë gjasë të avancojë një rikompozim të qeverisë greke. Të martën, analistët shpreheshin të sigurt se ky rikompozim –që mendohet se do të jetë radikal- do të bëhet brenda të enjtes.
Sipas analistëve, vetëm drejtuesit e Ministrisë së Financave, ministri i Mbrojtjes dhe me gjasë edhe ministri i Jashtëm, mund të konsiderohet e sigurt se do të mbajnë postet e tyre. /Ora News/