Ka zgjatur më shumë se një orë, marrja në pyetje e Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjitikës Damian Gjiknuri, i thirrur për t’u marrë në pyetje nga Prokuroria e Krimeve të Rënda lidhur me abuzimet në rrugën Tiranë-Elbasan.
Ministri Gjiknuri u paraqit rreth orës 16:45 tek Krimet në Rënda ku u mor në pyetja nga Prokurorja Elisabeta Imeraj.
Ministri Gjiknuri ka dhënë dëshminë e tij lidhur me dijeninë që ka për abuzimin me fondet në këtë aks rrugor, për të cilin janë arrestuar tre ish-zyrtarë të lartë të rrugëve.
“Unë nuk kam asgjë për të shtuar. Ato gjëra janë të paraqitura në audit. Unë nuk jam këtu për të bërë hetime, i kam thënë shkeljet në audit. Në cilësinë e personit kallëzues, kam dhënë dëshminë time mbi gjetjet e auditit”.- tha Gjiknuri në një prononcim të shkurtër.
DOSJA
Deri më tani janë arrestuar një sërë ish-drejtuesish nën akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe korrupsionit me rrugën në fjalë. Në pranga deri më tani janë ish drejtorët e ARRSH-së Dashamir Xhika e Andi Toma, por gjithashtu edhe një sërë ish-drejtuesish të lartë si Aksel Qorduka apo Albens Alite.
Gjykata i ka mbajtur në burg personat në fjalë, pavarësisht kërkesës së tyre për t’u liruar nga masa e arrestit me burg.
Kujtojmë se vetë Gjiknuri kallëzoi drejtuesit e ARRSH-së për shpërdorim të detyrës dhe një dëm të konsiderueshëm ekonomik në kurriz të shtetit. Një tjetër kallëzim penal ka qenë dhe ai i ngritur nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, pikërisht për aksin rrugor Tiranë Elbasan.





