Mbrojtësi i Teutës, Bojan Gjorgievski, e pranon situatën e vështirë në të cilën ndodhet ekipi, por beson se ata do të vazhdojnë me rezultatet pozitive dhe këtë do ta tregojnë edhe ndeshjen e ardhshme.
“Është një momenti i vështirë ky që po përjetojmë, por gjithçka do të ndryshojë dhe kam shumë besim për këtë. Duke besuar te grupi, ne do të kthehemi. Nga kjo javë filloi kthesa jonë me një pikë që na vlen. “Për sa u përket gjërave që nuk kanë funksionuar tek Teuta, mbrojtësi u shpreh:
“Kemi pësuar humbje, jo se nuk kemi bërë ndeshje të mira, por sepse në ndonjë rast kemi bërë gabime individuale. Një tjetër element është edhe fakti se nuk jemi vendosur mirë taktikisht, por mendoj se tani jemi ambientuar dhe do të tregojmë vlerat si ekip”.
Mbrojtësi ka besim se Teuta do ta sigurojë mbijetesën:
“Patjetër që kemi presion e mbijetesës, pasi e dimë shumë mirë se nuk jemi në pozicion të mirë në klasifikim. Por, mendoj se do ta kalojmë këtë moment. Fillimisht të gjithë duhet të japim më të mirën në fushë, më pas duhet të shmangim gabimet individuale, pasi janë ato që na kanë penalizuar gjatë gjithë kësaj periudhe. Por gjithçka vjen me punë dhe impenjim maksimal në fushë”.
Ai është ambientuar mire në Durrës dhe sipas tij njerëzit janë shumë mikpritës:
“Jam ambientuar mirë. Të gjithë më kanë pritur mirë dhe më respektojnë shumë. Më ka bërë përshtypje që janë shumë mikpritës, ma kanë bërë shumë të lehtë ambientimin. Durrësi është një qytet i bukur dhe më pëlqen shumë. Gjuha është një element, por nuk mendoj se është thelbësor, pasi tani e njohim mjaft mirë njëri-tjetrin dhe mund të them se tani edhe i parashikojmë lëvizjet e shokëve të skuadrës. Më shumë shoqërohem me Amir Bilalin, pasi ai di edhe gjuhën time dhe është me i lehtë komunikimi me të”, u shpreh Gjorgievski.





