Edhe mosmarrëveshjet me Greqinë janë bërë pjesë e konferencës për shtyp mes kreut të Komisionit Europian Jean Claude Junker dhe Kryeministrit Edi Rama.

“Problemet mes Shqipërisë dhe Greqisë duhet të zgjidhen sa me shpejt të jetë e mundur. Zgjidhja e tyre duhet të bëhet para anëtarësimit, jo pas anëtarësimit. Kur Shqipëria të ketë plotësuar të gjitha pritshmërinë, anëtarësimi do të jetë i kryer”, tha Juncker.

Ndërsa Kryeministri Edi Rama tha se ka besim që ky proces do të përmbyllet me sukses.

“Presidenti nuk e ka refuzuar dhënien e autorizimit, por ka kërkuar disa sqarime të shkruara lidhur me kërkesën. Sqarimet e shkruara janë dhënë, janë në tryezën e Presidentit dhe unë ju ftoj të gjithëve ta shikojmë këtë me seriozitetin që meriton. Kam besim se Presidenti do të bëjë detyrën dhe ne do të përmbushim këtë proces duke mbyllur problemet e mbartura me fqinjin tonë jugor. Po ky proces do të zgjidhet me sukses, dhe kjo do të jetë një tjetër arsye që Europa të vlerësojë Shqipërinë si një shtet serioz.”

Kreu i Komisionit Europian Jean Claude Juncker ka nisur vizitën e tij zyrtare në Tiranë, ndalesa e dytë e turit të tij në Ballkanin Perëndimor. Qëllimi i vizitës është ecuria e reformave integruese të Shqipërisë në Bashkimin Europian në kuadër të strategjisë së re të zgjerimit, prezantuar më herët gjatë këtij muaji nga Komisioni Europian që përcakton vitin 2025 si horizont kohor për anëtarësimin e rajonit.