Për të shtatin vit rradhazi, nxënësit e shkollës jo publike “Mihal Ekonomi” në Durrës kanë mbledhur dhurata për fëmijët e Shtëpisë së Foshnjes në këtë qytet.
Mbledhja e ndihmave është bërë nga të gjithë fëmijët e shkollës 12-vjeçare, të cilët krahas lëndëve të tjera në procesin mësimor kanë edhe lëndën e shërbimit komunitar. Lënda e shërbimit komunitar edukon brezin e ri për të punuar në komunitet dhe për të dhënë kontributin e tyre.
Nxënësit e shkollës, pas grumbullimit të ndihmave, i kanë dorëzuar ato në Shtëpinë e Foshnjes në Shkozet. Ata kanë dorëzuar pranë stafit të këtij institucioni kryesisht veshje, lodra, pampersa për të vegjlit, e gjithçka tjetër që një fëmi duhet t’i ketë e që në disa raste nuk ka mundësi t’i ketë ashtu si bashkëmoshatarët e tyre që jetojnë së bashku me familjen.
Nxënësit e shkollës “Mihal Ekonomi” janë mbështetur edhe nga komuniteti i prindërve në këtë traditë të tyre të përvitshme tashmë.
Mësuesit dhe nxënësit e shkollës dhanë mesazhin se ndihma dhe shërbimi komunitar për ata që kanë nevojë e pasurojnë shpirtin e njeriut.
K.H.





