Në orët e para të mëngjesit të kësaj të shtune është gjetur një sasi e vogël e dyshuar lëndë eksplozive e pashpërthyer në derën e një dyqani në Durrës.

Rasti ka ndodhur, në lagjen nr. 13, Plazh, në dyqanin në pronësi të shtetasit Rigels Rajku, i njohur ndryshe si Noizy.

Në vendngjarje shkuan shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, i cili vijon veprimet për zbardhjen e rrethanave, si dhe identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve.

Kjo nuk është hera e parë që reperi gjendet përballë situata të tilla. Më 8 qershor 2022, i është vënë tritoli një dyqani rrobash dhe lokalit të tij, fatmirësisht pa të lënduar. Incidente këto, pas përplasjeve të tij me reperin Kleviol Ahmeti ose Cllevio Serbiano.

Sa i takon ngjarjes së para 4 viteve, Prokuroria e Posaçme vijon hetimet, ndërsa deri më tani është zbuluar se tritoli u vendos me urdhër të Laert Haxhiut. Ky i fundit (shok me Cllevio-n), rezulton i akuzuar për një sërë veprash penale dhe është dënuar me burg përjetë për atë që njihet si Masakra e Lushnjës, ngjarje e ndodhur në 2017-ën.