Piramida 63 është pika kufitare që ndan dy shtetet, Shqipërinë me Greqinë. Kufiri ndodhet 30 minuta nga fshati Vërvë i Sarandës, dhe rreth 10 minuta nga fshati i parë grek Kotsika.
Nga një vëzhgim i gazetarëve të “Qendrës për Gazetari Cilësore” ka rezultuar se kufiri nuk monitorohet nga ushtria dhe qytetarët mund të lëvizin lirisht.
Në këtë mënyrë shtegu për trafikantët e drogës dhe për personat me precedent penal është i lirë. Sipas banorëve deri në vitin 2000 aty kalonin ilegalisht për në Greqi punëtorët sezonalë. Ndërsa para viteve ‘90 ky kufi mbrohej rreptësisht nga ushtritë e të dy vendeve.
Por kur Shqipëria liberalizoi vizat me BE-në në 2011-n ushtritë u tërhoqën nga survejimi. Ndërsa sot pika nuk monitorohet dhe rruga mund të kalohet në këmbë. Banorët shprehen se sot kjo pikë kufitare përdoret nga të panjohur për të kaluar lëndë narkotike në Greqi.
Mediat greke kanë raportuar se gjatë 2017-s, të paktën 9.3 ton kanabis janë ndaluar në pikat kufitare me Shqipërinë. Sot banorët dyshojnë se persona me precedent penal e përdorin këtë shteg për t’i shpëtuar drejtësisë.
Ministra e Brendshme, e pyetur nga 'Qendra për Gazetari Cilësore' nëse ka qenë Piramida 63 rrugë për kalimin e narkotikëve dhe personave me precedent penalë, është përgjigjur:
"Nuk ka asnjë segment të kufirit shtetëror me Greqinë apo me shtetet e tjera kufitare ku të mos ketë mbikëqyrje dhe monitorim".
Megjithatë vëzhgimi në terren tregon të kundërtën. /Qendra për Gazetari Cilësore –Klaudja Karabolli, Denis Tartatri





