Në ambjentet e Këshillit Bashkiak të Durrësit, Agjensia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural zhvilloi takimin me fermerë, kryepleq, deputetë dhe përfaqesues të bashkisë Durrës, me qëllim shpjegimin dhe promovimin e Masave Mbështetese për Bujqësinë dhe zhvillimin Rural 2018.
Në këtë takim merrte pjesë edhe nënkryetari i Bashkisë së Durrësit Sami Gjergji i cili deklaroi se Durrësi ka potenciale të fuqishme përsa i përket bujqësisë dhe agro turizmit dhe kjo skemë mbështetëse do të ndikojë fuqimisht në zhvillimin e bujqësisë për bashkinë e Durrësit.
Të pranishmit kanë patur mundësinë të bëjnë të gjitha pyetjet dhe të sqarojnë çdo paqartësi në lidhje me mënyren e aplikimit, përmbajtjen e masave, detaje të masave për rajonin e Durrësit, kriteret e aplikimit dhe përfitimit të masave dhe objektivat kryesorë të këtyre mbështetjeve financiare.
Ndalesa në Durrës, u realizua si vazhdim i një turi të gjatë takimesh në të gjithë vendin që Azhbr në bashkëpunim edhe me të gjitha grupet e interesit (bashki , kryetarë të njësive administrative, fermerë , deputetë të zonës etj) po realizon për ti paraprirë fazës së aplikimeve.
Turi i promovimit te Skemave Mbështetëse për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural 2018, synon takime shpjeguese në të gjithë territorin e vendit deri në dt 28 shkurt kur hapen edhe aplikimiet për të interesuarit që do të përfitojnë nga këto grante.
Rreth 25 punonjës të mirëtrajnuar të Azhbr janë ndarë në 6 grupe pune dhe po realizojnë paralelisht takime me fermerët në të gjithë vendin.
Në disa nga qarqet kryesore kësaj trupe të Azhbr i është bashkuar edhe një grup studentësh dhe pedagogësh të Universitetit Bujqësor të Tiranës, të cilet të trajnuar më parë nga punonjësit e Azhbr po marrin pjesë në takimet shpjeguese të Skemës Kombëtare me fermerë anë e mbanë vendit.





