Ujësjellës Kanalizime Durrës vazhdon aksionin për verifikimin dhe kontrollin e bizneseve që janë debitore apo që nuk kanë lidhur kontratë të furnizimit me ujë të pijshëm. Në tre javët e para, grupet e ujësjellësit në terren e kanë kaluar shifrën e 1 mijë kontrolleve të tilla, ndërkohë që duket se aksioni në fjalë po jep frutet e para.

Kryeinxhinieri i UKD-së Gerald Dautaj, u shpreh se vetëm në zonën e Shijakut është rritur me rreth 30 për qind sasia e ujit për popullatën e zonës, çka do të thotë se banorëve iu është rritur orari i furnizimit me ujë. Dautaj shtoi se qëllimi i aksionit në fjalë është pikërisht ky, rritja e orarit të furnizimit me ujë dhe rregullimi i ligjshmërisë së abonentëve familjarë dhe bizneseve me ndërmarrjen e ujësjellësit.

Paralelisht me kontrollet për lidhjet e paligjshme dhe ndërprerjen e ujit për bizneset debitore, grupet task-forcë po kontrollojnë edhe gjendjen e matësve të ujit, duke paralajmëruar se në rast se konstatohen ndërhyrje në matësa, personat përgjegjës do të penalizohen.

Në tre javët e para të muajit shkurt në gjithë zonën që kontrollon ujësjellësi i Durrësit janë kontrolluar 1125 biznese të ndryshme duke u mbajtur procesverbalet përkatëse, janë gjetur 12 lidhje të paligjshme duke u bërë denoncimet për pronarët e tyre, si dhe është ndërprerë  uji për 204 biznese debitore. Për të njëjtën periudhë në sportelet e ujësjellësit janë realizuar 416 aktmarrëveshje, instalimi i 1370 matësve dhe hapja e 475 kontratave të reja.