Automjeti tip Benz, shkaktar i aksidentit tragjik që i mori jetën 60-vjeçarit Bujar Agalliu dhe 23-vjeçares Elena Avdillari, rezulton në pronësi të 32 vjeçarit Fatjon Zhaborrja, lindur në Tropojë.

Ish-pronari i mëparshëm i automjetit tip Benz S500, me targa AA 060 SP, shtetasi Dardan Gjekaj, 24 vjeç vë në dispozicion të DurrësLajm kontratën e shitblerjes së mjetit të nënshkruar nga të dyja palët dhe noterja në datë 22/01/2018 në Tiranë.

Gjekaj mohon çdo lidhje me aksidentin tragjik dhe personin, që dyshohet si shkaktar i aksidentit.

Zhaborrja u përfshi në aksidentin rrugor të regjistruar rreth orës 23.30 në autostradën Durrës-Tiranë, pranë një karburanti në Maminas.

Që nga mbrëmja e djeshme, Zhaborrja rezulton person i shpallur në kërkim nga policia, pasi është larguar nga vendngjarja fill pas aksidentit.

Policia e Durrësit, në njoftimin e saj për ngjarjen sqaron se “nga veprimet paraprake dyshohet se mjeti tip Benz e ka përplasur nga mbrapa mjetin tip Taksi dhe kjo e fundit për të devijuar është futur në një karburant. Në mjetin tip Benz nuk është gjetur asnjë shtetas”.