Autoritetet në Durrës kanë identifikuar drejtuesin e mjetit tip “Benz”, i cili dyshohet se mbrëmjen e së mërkurës shkaktoi aksidentin me 2 të vdekur pranë Maminasit në autostradë.

Ai është Fatjon Zhaporja, 34 vjeç dhe është shpallur në kërkim nga policia.

Mësohet se grupi hetimor po heton në dy pista: ngjarje aksidentale dhe aksident i qëllimshëm. Policia ka dyshime se mund të kemi të bëjmë me një sulm të qëllimshëm dhe jo thjesht një aksident.

Aksidenti tragjik ndodhi rreth orës 23:30 në autostradën Durrës-Tiranë, pa shkuar në Maminas.

Zhaporja, i cili udhëtonte me një “Benz” dyshohet se goditi nga pas taksinë, brenda së cilës ndodhej 60-vjeçari Bujar Agalliu dhe pasagjerja e tij, Elena Abdillari, 23 vjeçe.

Përplasja ishte mjaft e fortë, duke e detyruar taksinë që të dilte nga rruga dhe të përfundonte në një karburant, çka shkaktoi dhe humbjen e dy personave.

Pas aksidentit, 34-vjeçari Zhaporja braktisi makinën dhe u largua nga vendngjarja. Dyshohet se ai ishte nën shoqërinë e një tjetër personi në “Benz”.