Stafi i Ujësjellës Kanalizime Durrës i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së Kryqit të Kuq për të dhuruar gjak. Në mjediset e ndërmarrjes së UKD-së afro 40 persona të stafit administrativ dhe mbështetës kanë dhuruar gjak për nevojat e fëmijëve talasemikë dhe për operacionet që zhvillohen në spitalin e Durrësit.
Banka e gjakut është instaluar që në mëngjes pranë dispecerisë së Ujësjellësit dhe ka qëndruar aty deri në mesditë. Duke qenë se dhuruesit e gjakut janë pakësuar ndjeshëm, Kryqi i Kuq ka nisur një fushatë ndërgjegjësimi pranë institucioneve publike për dhurimin e gjakut.
Nga ana tjetër kërkesat për gjak të sigurt rriten ndjeshëm qoftë për fëmijët që vuajnë nga Talasemia, qoftë edhe për shkak të aksidenteve që ndodhin pothuajse çdo ditë në territorin e qarkut.





