Drejtuesit e APD kanë pritur në një takim njohjeje dhe pune, një grup të madh përfaqësuesish të kompanive dhe bizneseve nga Italia.
67 biznesmenët italianë mbërritën në kuadër të veprimtarisë “Italian Business Mission to Albania”, që nisi paraditen e djeshme në Tiranë.
Përfaqësuesit e bizneseve në Durrës i përkisnin sektorit të infrastrukturës, biznesmenët e sektorit të bujqësisë shkuan në Lezhë, ndërsa të sektorëve të tjerë në qytetin e Vlorës.
Në portin e Durrsit ata u njohën me zhvillimet dhe punën që bëhet në portin e Durrësit, si dhe u njohën me perspektivën e këtij porti dhe investimet që pritet të kryhen.
Kreu i APD, Artjan Qirici tha se porti i Durrësit është para sfidave të vështira sepse këtë vit pritet të bëhet thellimi I portit të Durrësit.
Drejtuesit e bizneseve nga vendi fqinj, që vijnë thuajse nga të gjitha rajonet e Italisë u pritën nga Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv, Artjan Qirici, i cili në takimin e zhvilluar në sallën e Trajnimeve bëri të njohur kapacitetet dhe projektet e afërta në portin më të madh të vendit.
Drejtuesit e sektorëve të Promocionit dhe të Inxhinierisë, Arben Xhemali dhe Gjergj Kota u ndalën më gjatë në situatën e terminaleve portuale, si dhe në projektet që po përgatiten për tu zbatuar gjatë viteve në vazhdim. Takimi ngjalli interesimin e mediave lokale dhe kombëtare.
Përfaqësuesit e kompanive italiane gjatë bisedës me drejtorin Qirici kërkuan më shumë të dhëna, veçanërisht për mundësinë e pjesëmarrjes në realizimin e projekteve.
Më pas ata vizituan Terminalin Perëndimor dhe u ndalën më gjatë në Terminalin e Trageteve. Një ditë më parë, drejtuesit e portit morën pjesë në punimet e Forumit të Biznesit Itali-Shqipëri, ku bashkë me organizatorët përshëndeti edhe kryeministri Edi Rama.
Në seancën kushtuar infrastrukturës dhe energjisë, Ministri Damian Gjiknuri u ndal te investimet e rëndësishme të këtyre fushave. Ai veçoi edhe projektin e thellimit të portit të Durrësit dhe kanalit hyrës të tij, i cili do të kërkojë një investim prej 10 milion eurosh. Përfaqësuesit e APD zhvilluan edhe disa takime njohjeje me kompani të njohura italiane.