Afrim alias Memli Begalla u ekzekutua mbrëmjen e së mërkurës me armë në rrugën “Nikolla Tupe” në kryeqytet.
Mësohet se 64-vjeçari u qëllua nga afër me plumb në kokë. Atentati ndodhi rreth orës 21:00, në parkingun poshtë pallatit ku ai banonte.
Ekzekutori përdori një pistoletë me silenciator dhe më pas u largua në drejtim të paditur, dyshohet me një makinë tip ‘BMW’ ngjyrë e zezë. Skena e krimit është ruajtur gjatë gjithë natës nga forcat e policisë dhe mëngjesin e sotëm është rikthyer në vendngjarje grupi hetimor për të këqyrur sërish skenën e krimit.
Memli Begalla ka qenë biznesmen gomash. Ai zotëronte biznese në Yzberisht dhe në autostradën Tiranë-Durrës. Sipas hetimeve paraprake të policisë, shkak i vrasjes dyshohet të kenë qenë borxhet që viktima u kishte personave të tjerë.





