Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë ka dhënë lajmin e mirë për të gjithë pedagogët e Universitetit të Tiranës, paga e të cilëve është vonuar prej 10 ditësh.
Përmes një njoftimi për shtyp, Ministria e Arsimit bën me dije se pagat e pedagogëve do të jepen ditën e sotme.
"Pagat do të jenë në llogarinë e pedagogëve dhe personelit akademik brenda ditës së sotme. Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë siguron se Ligji i ri i Arsimit të Lartë është mundësi e re e zgjerimit të autonomisë financiare të universiteteve. Ne do të bëjmë gjithçka që kjo të garantohet me aktet nënligjore që priten të miratohen së shpejti. Gjithashtu ne besojmë fortë që të gjitha energjitë dhe debati të zhvillohet tek sfidat e rritjes së cilësisë, performancës, punësimi i të rinjve dhe akreditimi i programeve të studimit."





