Anija e flotës ushtarake amerikane, “Ross” ka mbërritur në Gjirin e Vlorës ku do të qëndrojë tri ditë për një program të bashkëpunimit ushtarak dypalësh. Anija luftarake vjen në vendin tonë në kuadër të një nisme për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes SHBA-së dhe Shqipërisë si dhe përkushtimin e të dy vendeve për stabilitetin në rajon.

Anija “Ross” ka në bord një ekuipazh prej 350 personash dhe ka qenë pjesë e dhjetëra operacioneve ushtarake, ku më i fundit i tyre në Siri.

Në ceremoninë e mbërritjes ishin të pranishëm zv/ministri i Mbrojtjes, Petro Koçi, ambasadori amerikan Donald Lu, si dhe drejtues të lartë të Forcave të Armatosura shqiptare. Ambasadori Lu tha se të gjithë duhet të kuptojnë rëndësinë që ka ushtria në funksionet demokratike të çdo shoqërie.

“Një nga misionet tona është të ndihmojmë të rinjtë shqiptarë të respektojnë profesionin e ushtarakut. Të gjithë, pavarësisht moshës duhet të kuptojmë rolin e ushtrisë në mbrojtjen e shoqërisë së lirë në mbarë botën”.

“USS Ross” pas Shqipërisë do t’i drejtohet Spanjës e më pas do të ankorohet në SHBA.