Ndërtimi i Korridorit 8 në pjesën hekurudhore Kërçovë-Lin është prioritet i Qeverisë së Shqipërisë dhe Maqedonisë. Kështu deklaruan drejtorët e dy ndërmarrjeve hekurudhore Irfan Asani dhe Ani Dyrmishi, pas realizimit të takimit mes tyre në Shkup.
Drejtori i ndërmarrjes Publike Hekurudhat e Maqedonisë Infrastrukturore Irfan Asani informoi administratorin e sha Hekurudha shqiptare Ani Dyrmishi për fillimin e ndërtimit të linjës hekurudhore Kërçovë-Strugë-Lin.
“Nga ana e Maqedonisë veçmë është përgatitur projekt për ndërtimin e hekurudhës nga Kërçova deri te kufiri shqiptar dhe tani punohet në përcaktimin e pikave të lidhjes së dy hekurudhave”,tha drejtori i HM Infrastrukturës Asani.
Ndërsa administratori i sha Hekurudha Shqiptare Ani Dyrmishi, tha se prioritet i qeverisë shqiptare është lidhja hekurudhore e Shqipërisë me Maqedoninë, raportojnë mediet lokale në vendin fqinjë.
“Kemi përfunduar projektin e fizibilitetit për këtë pjesë të hekurudhës, shpresojmë që shumë shpejtë të dimë edhe koston përfundimtare të këtij projekti, por qeveria shqiptare i ka dhënë prioritet të veçantë ndërtimit të kësaj linje hekurudhore e cila do të sjellë përfitime ekonomike për të dy shtetet”,- është shprehur Dyrmishi.
Pritet që deri në vitin 2023 linja hekurudhore Maqedoni-Shqipëri, tërësisht të jetë funksional korridori 8. Në fund të takimit dy drejtorët e hekurudhave u zotuan se bashkëpunimi do jetë edhe më i ngushtë.





