Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla foli sot për herë të parë për pagat e pedagogëve të universiteteve, nga konferenca e rektorëve organizuar nga Kolegji Universitar Luarasi, ku u ka kërkuar ndjesë atyre dhe stafit të Universiteteve për vonesën e pagave.

Sipas Ministres, gjithçka lidhet me ligjin e arsimit të lartë dhe autonominë financiare të universiteteve.

“Unë do të përfitoj nga rasti të kërkoj një ndjesë të madhe publike të gjithë pedagogëve dhe pedagogeve por dhe administratës së universiteteve publike për vonesën e pagës së tyre, për t’iu thënë që nuk është as më shumë e as më pak por pikërisht edhe nevoja që qeveria dhe institucionet qeverisëse të bëjnë maksimalisht detyrat e tyre të shtëpisë, sepse është një axhustim i nevojshëm që vjen përmes ligjit të ri të arsimit të lartë që ofron më shumë autonomi financiare për universitetet duke vendosur që çdo buxhet që mbetet në fund të vitit të trashëgohet në vitin pasardhës buxhetor”, tha ministrja Nikolla.

Pedagogët e të gjitha universiteteve publike, nuk kanë marrë ende pagën e janarit.