IKMT ka nisur shembjen e 10 objekteve, kryesisht lokale dhe restorante pranë bregut të detit në zonën e Golemit. Pronarët pretendojnë se kanë leje nga bashkia dhe institucionet e tjera për të ushtruar aktivitetin e tyre, ndërsa akuzojnë autoritetet se nuk u është lënë afat.
Aksioni ka filluar të shtunën dhe nuk është dhënë njoftim paraprak, madje një nga pronarët e bizneseve, Klinton Gjuzi në Majami 2, tregon dokumentacionin e rregullt që ka në dorë dhe thotë se ka bërë denoncim në polici.
Megjithëse kundërshtoi familjarisht, policia ka ndërhyrë në këtë lokal në orët e mbrëmjes. Një prej pjesëtarëve të familjes i ka rënë të fikët dhe pas dhënies së ndihmës së parë është dërguar me urgjencë në spital.
Ndërkohë që IKMT ka reaguar për situatën e krijuar duke sqaruar se po prish ndërtimet e bëra rishtaz në Golem dhe se përgjegjësit do të paditen. IKMT deklaron se lokalet dhe restorantet janë ngritur brenda fashës së mbrojtur të rërës. IMKT u ka bërë thirrje ndërtuesve që të mos ndërmarrin iniciativa antiligjore duke u mbështetur në letra të dyshimta dhënë nga zyrtarë, të cilët do të mbajnë përgjegjësi ligjore për veprimet dhe mosveprimet e tyre. IKMT është shprehur e prerë në zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e territorit.
Po ndërkohë që flitet për zbatimin e ligjit, nëse do të zbatohej ky kriter në Durrës, ku fasha e ndërtimeve përgjatë vijës bregdetare është shtrirë deri brenda në det, mbase do të shëmbeshin ndërtesa pafund.
K.H.





