Për herë të parë zv.ministri i arsimit, Shpat Kolgega ka vizituar gjimnazin “Don Nikoll Kaçorri” dhe shkollën 9-vjeçare “E Re”, i shoqëruar nga kryetari i njësisë administrative nr.6, Serjan Mazrreku.

Kolgega ka takuar drejtuesit e shkollave të zonës, respektivisht, drejtorin Xhovalin Totri dhe drejtoreshën Pashke Marku, stafet pedagogjike si dhe nënësit klasë më klasë, me të cilët ka biseduar lidhur me vendimin e ri nga Ministria e Arsimit për orët ‘90 minutëshe.

Në fjalën e tij, zv.ministri ka siguruar mbështetjen e plotë të institucionit të arsimit për dy shkollat e ish-Kënetës.

“Bashkë me kryetarin Mazrreku, kemi ardhur për t’i dhënë vëmëndjen e duhur shkollës dhe komunitetit të zonës. Do të jemi në dispozion për të gjitha nevojat tuaja, e ajo që duhet të bëni ju është të mësoni sa më shumë, të jeni sa më të mirë,”-tha Kolgega përpara nxënësve.

Për kreun e njësisë administrative Mazrreku, ardhja e zv.ministrit, tregon që nxënësit e kësaj zone nuk janë vetëm, pasi tashmë kanë mbështetjen e garantuar të institucionit arsimor, ndaj dhe iu bëri thirrje atyre.

“Ne tashmë nuk jemi më vetëm, ndaj dua t’ju bëj thirrje të gjithëve që për çfarëdo lloj problemi që do të keni, të mos ngurroni të kërkoni ndihmën e drejtuesve të shkollës apo Komunës, të ngrejmë zërin e të trokasim në çdo derë për të marrë zgjidhjen e dëshiruar, pasi vetëm duke u arsimuar mund të bëjmë të gjithë bashkë ndryshimin”,– tha Mazreku.

G.D.