Një ditë më parë, policia e Durrësit bëri me dije grabitjen e banesës së një biznesmeni në Fushë- Krujë nga 4 persona të armatosur dhe me maska.
Sipas Policisë, kanë qenë katër persona të armatosur, që kanë hyrë mbrëmjen e së dielës, rreth orës 21.30, në shtëpinë e biznesmenit Blerim Kaloshi në Fushë-Krujë ku veç tij i morën një shumë parash edhe nipit të tij.
Në total, shuma e grabitur është 4 milionë lekë të vjetra, ku 2.5 milionë iu grabitën të zotit të shtëpisë dhe 1.5 milionë të tjera nipit të tij.
Kryefamiljari Kaloshi është shprehur se autorët ishin katër persona, dy me kallashnikovë e dy me pistoleta, që të gjithë të maskuar.
Në dëshminë e tij, dhënë në Polici, 36-vjeçari tregon se u ka hapur derën dhe më pas, nën kërcënimin e armëve, është detyruar t’u japë një shumë prej rreth 2.5 milionë lekë të vjetra, që kishte në shtëpi.
“Ishin katër persona. Të katër të maskuar dhe në duar mbanin armë, dy pistoleta, ndërsa dy të tjerë kallashnikovë.
Na vunë pistoletën në kokë dhe na kërcënua se do të na vrisnin po të mos u tregonim se ku i kishim paratë. U tmerruam. U dhamë 2.5 milionë lekë, po ata nuk u larguan, kërkonin para të tjera. Mendonin se kishim më shumë lekë gjendje. Kështu, njëri na mbante armën drejt me qëllim që të mos bënim asnjë lëvizje, ndërkohë të tjerët kontrollonin nëpër shtëpi. Morën ca gjetën, bizhuteri të ndryshme”, ka pohuar për Policinë kryefamiljari, raporton Panorama.
Por para se autorët të largoheshin, në banesën e familjes Kaloshi ka mbërritur nipi i 36-vjeçarit, i cili ka rënë gjithashtu pre e grabitësve. Të riut i janë marrë 1.5 milionë lekë që kishte me vete dhe makina personale, të cilën e përdorën për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.
Mësohet se Policia e Fushë-Krujës ka shoqëruar disa persona, por ende nuk ka një të dyshuar.
Njoftimi i policisë:
“Më datë 04.02.2018, rreth orës 21:30, në Fushë-Krujë, persona të paidentifikuar me maska, të dyshuar të armatosur, kanë hyrë në banesën e shtetasit B.K. 36 vjeç dhe duke kërcënuar kanë marrë një shumë parash, bizhuteri dhe një mjet tip “Volksëagen”.
Me të marrë njoftimin, menjëherë në vendngjarje kanë shkuar efektivët e Policisë dhe është ngritur grupi hetimor.
Uniformat blu kanë shoqëruar disa persona me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë për veprime të mëtejshme për veprën penale “Vjedhja me dhunë” e kryer në bashkëpunim parashikuar në nenin 139, 25 të Kodit Penal.





