2 raste me sëmundjen infektive të fruthit janë evidentuar në Durrës nga mjekët pediatër. Fëmijët e prekur nga fruthi u paraqitën në urgjencën e pediatrisë me temperaturë të lartë. Rastet e dyshuara kanë qenë disa, por nga analizat e bëra në Institutin e Shëndetit Publik janë konfirmuar dy vogëlushë, njëri prej të cilëve 2 muajsh.

"Fëmijët janë trajtuar në repartin infektiv dhe më pas janë dërguar në banesat e tyre në gjendje të mirë shëndetësore", pohoi kreu i Shëndetit Publik në Durrës, Kristaq Huta. 

Kjo ka bërë që drejtoria e Shëndetit Publik të ndërrmarrë një aksion të gjerë në shkollat publike e jo publike për të verifikuar vaksinimin e fëmijëve të shkollave. Huta tha për DurrësLajm se kontrolli ka nisur tek të gjithë institucionet arsimore, si dhe është  përqëndruar tek fëmijët dhe adoleshentët e komunitetit rom. 

Deri tani rezulton se vaksinimi është bërë nga 96% e popullsisë në Durrës, ndërsa 4% e prindërve kanë hezituar t'i vaksinojnë fëmijët. Mjeku Huta jep apelin se vaksinimi shmang një sërë sëmundjesh të tjera infektive.

Situata e fruthit ka sensibilizuar edhe prindërit, të cilët u drejtohen qendrave shëndetësore për të bërë vaksinimin e fëmijëve të tyre. 

Ky fillim viti ka shënuar edhe rritje të madhe të numrit të fëmijëve të prekur nga virozat. Rreth 1700 fëmijë çdo javë kanë kërkuar ndihmë në qëndrat shëndetësore dhe në urgjencën pediatrike.

K.H.