Neymar ka mbushur 26 vjeç dhe duket se e ka festuar ditëlindjen duke bërë paqe me Barcelona-n, që e ka uruar lojtarin në profilin zyrtar të klubit në Twitter. Një mesazh paqeje pasi palët janë ndarë në mënyrën më të keqe të mundshme kur braziliani ka kaluar te PSG për 222 milionë euro verën e kaluar dhe që ka kërkuar një dëmshpërblim prej 30 milionë eurosh nga ish-skuadra e tij. Barcelona i është përgjigjur kësaj kërkese duke hedhur në gjyq lojtarin për shkelje të kushteve të kontratës.
Por tani, në mënyrë të befasishme, ka ardhur urimi për 26-vjetorin. Në rubrikën e “Golat e mëngjesit”, që publikohet në Twitter, klubi katalanas i ka bërë urimet yllit të PSG-së me një video ku shfaqen disa prej momenteve më të mirë të lojtarit në ndeshjen e luajtur mes Barçës dhe Elche-s, kur “O’Ney” ishte akoma një lojtar “blaugrana”.
Një mesazh pajtimi, që ka shumë mundësi të vlerësohet nga futbollist. Ndërkohë, në Paris është zhvilluar një festë e madhe për ditëlindjen e lojtarit më të shtrenjtë të historisë së futbollit. Ai ka festuar me familjen e tij, të fejuarën Bruna Marquezine dhe shokët e skuadrës të PSG-së, duke përfshirë edhe Cavani-n. Muzikë, karioke dhe kërcime të shfrenuar në prani të legjendave të së kaluar, si Ronaldo dhe shoku i tij te kombëtarja e Brazilit, Gabriel Jesus.





