Ardi Veliu është prezantuar zyrtarisht këtë mbrëmje në Tiranë, në postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit shqiptar.
Në një ceremoni të mbajtur në ambientet e Drejtorisë, Ardi Veliu u shfaq krah ministrit të Punëve të Brendshme Fatmir Xhafaj, dhe zëvendësdrejtorit të Policisë së Shtetit, Rebani Jaupi.
Veliu merr këtë post, duke lënë detyrën e Drejtorit të Policisë së Tiranës. I komanduar si drejtor i përgjithshëm i policisë së Shtetit ishte Rebani Jaupi, pas lirimit nga detyra të Haki Çakos, me propozim të Xhafajt. Edhe Ardi Veliu u zgjodh në postin e drejtuesit të lartë me propozim të ministrit të Brendshëm dhe u emërua nga Kryeministri Rama me vendim të Këshillit të Ministrave.
Drejtori i ri mbajti një fjalim në ceremoni, duke e vlerësuar një ditë të veçantë për të pasi i është besuar detyra që ëndërron çdo oficer policie – siç ai u shpreh.
“Sot e shikoj si sfidën e jetës sime ndaj qytetarëve, besimi i qeverisë së Shqipërisë ndaj meje. Në këto momente më angazhon mua për të përmbushur me sukses këtë mision. Unë nuk jam vetëm në këtë mision. Jam i vendosur të punoj me përkushtim së bashku me ju kolëgë në përmirësimin e mëtejshëm të situatës së rendit dhe sigurisë", tha ai.
Por mes të tjerave në fjalën e tij, Ardi Veliu thumboi edhe paraardhësin Haki Çako, duke theksuar se Policia e Shtetit i ka të gjitha kapacitetet për të luftuar krimin e korrupsionin. Por se këto kapacitete, sipas drejtorit të ri të policisë, nuk janë shfrytëzuar siç duhet.
"Policia e Shtetit ka nevojë për një menaxhim më efiçent të burimeve njerëzore. Do plotësoj të gjitha objektivat e dhëna nga polica shqiptare. Policia ka nevojë për një ritëm të ri. Ka nevojë për një risktustrukurim të efektshëm. Në polici nuk mungonin njerëzit e kualifikuar, por jo gjithmonë kanë qenë në vendin e duhur. Do t’i kushtojmë vëmendje trajtimit të personelit për të realizuar objektivat. Së bashku me kolegët e mi do të çoj përpara këtë mision”, – u shpreh Ardi Veliu.
"Përmirësimi i teknologjisë do të jetë fokusi im. Do të vazhdojmë bashkëpunimin me të gjithë partnerët ndërkombëtarë" – tha Veliu, duke shtuar se nuk është i vetëm në këtë mision.
Gjatë fjalimit të tij, drejtori i ri i Policisë së Shtetit nuk i fshehu dot emocionet, pasi në një moment i humbën edhe fjalët, duke lënë një pauzë të gjatë.
Ceremonia u përmbyll vetëm me fjalimin e tij, pasi ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj nuk mbajti fjalë.





