Kreu i bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, i ka bërë jo pak “qejfin” ministrit të Transporteve Damian Gjiknuri, me qëllim jo vetëm të bashkëpunimit të ngushtë, por edhe për të arritur t’i marrë sa më shumë investime për bashkinë e madhe të Durrësit.

Dako, në takim me Gjiknurin, por edhe me drejtuesit vendorë të bashkisë së Durrësit, tha se transporti mbetet pika e fortë e qytetit dhe Ministria e Transporteve në vitet në vijim do të investojë për tri rrugët e lëna në harresë deri tani.

Dako i rikujtoi ministrit Gjiknuri rëndësinë që ka qyteti i Durrësit, duke u ndalur tek transporti rrugor, ujor e hekurudhor, që përbëjnë edhe nyjen kryesore të zhvillimit të ekonomisë shqipatre.  

Kryebashkiaku Vangjush Dako kërkoi nga Gjiknuri investimin e tri akseve: të rrugës së vjetër Durrës – Tiranë, (atë të Ndroqit), e lënë në haresë prej shumë vitesh; rrugën Durrës – Shijak e cila gjendet në situatën më të keqe të mundshme, dhe përfundimin e autostradës nga Këneta në Porto – Romano, e lënë përgjysmë pranë kampusit universitar. 

Qyteti i Durrësit duke patur portin më të madh të vendit, konsiderohet nyja kryesore e zhvillimit të transportit e të tregtisë në vend, për të cilën kërkohet edhe infrastruktura e domosdoshme rrugore.

K.H.