Dita e djeshme ka qenë dramatike për një çift në Vlorë, që për pak sa nuk humbën jetën. Burrë e grua të bllokuar prej më shumë se një orë nga rrjedha e lumit Shushicë, pasi furgoni me të cilin ata udhëtonin u mbulua nga uji, janë shpëtuar nga Forcat e Armatosura. Ka qenë rrjedha e lumit Shushicë e cila ka rrëmbyer furgonin duke e mbuluar në pak sekonda. Pas minutave të tëra paniku, Liljana dhe Bashkim Muhaj janë shpëtuar me një gomone nga Forcat e Armatosura, ku në ndihmë të ekipeve të emergjencës mbërriti edhe një helikopter "Cougar" i FA.
Dy personat që udhëtonin në furgon dolën nga automjeti dhe qëndruan mbi çatinë e tij, deri në mbërritjen e ekipeve të emergjencës të cilët iu erdhën në ndihmë përmes helikopterit të FA dhe një gomonie. Në videon e siguruar ekskluzivisht nga "Report Tv" dëgjohet gruaja e cila bën thirrje për ndihmë. "Lajmëroni o çuna" ishte thirrja e saj drejtuar banorëve të cilët ndodheshin në breg.
Ndërsa disa çaste më pas atyre iu vjen në ndihmë helikopteri i FA, por përmes helikopterit misioni ishte i pamundur për shkak të trysnisë së ajrit dhe u desh ndërhyrja e gomones. Pas shpëtimit nga forcat e ushtrisë çifti është dërguar në Tiranë për ndihmë të specializuar, pas gjendjes së shokut që kaluan.





