22-vjeçarja Anxhela Noçka, ka ndërruar jetë mbrëmjen e së premtes në Spitalin e Budapestit. Studentja e vitit të katërt të Arkitekturës, humbi betejën me leuceminë akute nga e cila u prek në mënyrë të befasishme në janar të vitit 2017.

Anxhela Noçka u bë e njohur një vit më parë, kur një solidaritet i jashtëzakonshëm qytetar, pasoi në mënyrë të rrufeshme thirrjen që familjarët dhe shokët e shoqet e saj bënë në rrjetet sociale, gazeta dhe televizione, për mbledhjen e fondeve që do të bënin të mundur kurimin e saj jashtë vendit.

Nisma e studentëve të Arkitekturës “Bëje për Anxhin“ që përfshiu organizimin e dhjetëra aktiviteteve të bamirësisë, shënoi një rast unik që bashkoi mijëra qytetarë të thjeshtë, biznese private dhe institucione shtetërore, në një aksion të përbashkët humanitar që mundësoi qëndrimin e saj 1-vjeçar në një qendër të specializuar në Budapest të Hungarisë.

Por Anxhela Noçka nuk ja doli t'i mbijetojë sëmundjes së rëndë, duke lënë në mes ëndrrat dhe dëshirat e saj.

Ceremonia mortore do të zhvillohet në ditët e ardhshme, kur arkmorti me trupin e saj të mbërrijë në Shqipëri.