Teuta ndërroi trajner në funddhjetorin e shkuar, nisur nga ecuria zhgënjyese nën drejtimin e Gugash Maganit. U "gradua" një durrsak i sprovuar te Laçi, Stavri Nica, i cili, këtë të diel do të jetë mysafir i kurbinasve, në llogoren e kundërt.
Atmosfera në kampin durrsak nuk është e duhura, sepse përforcimet në merkaton dimërore nuk kanë qenë të kërkuarat nga trajneri, sidomos në repartin e sulmit. Kësisoji, Nica duhet të bëjë me grupin që ka, të cilin po tenton ta rrisë psikologjikisht.
Para seancës së fundit stërvitore, Nica ka mbajtur një fjalim motivues para skuadrës që drejton, duke dashur të zgjojë tek ajo sedrën sportive:
“Duhet të sakrifikoni për të arritur objektivin që ka klubi. Është e turpshme kjo situatë ku ndodhemi dhe ju duhet ta nxirrni ekipin nga kjo gjendje, duke më ndjekur mua. Sukseset nuk vijnë rastësisht, por duke punuar në fushë. Futbollistët e tjerë sakrifikojnë, ndërsa ju i keni të gjitha kushtet dhe i bini të mirës me shqelm. Nuk besoj se ka ndonjë ankesë për kushtet, në të cilat stërviteni, pagën apo diçka tjetër. Pra, klubi ka bërë më të mirën për ju, po ju çfarë keni bërë për të arritur objektivat e klubit? Nga ndeshja me Laçin dua të reagoni dhe të jepni shpirtin në fushë, dua skuadër agresive. Mos të mendoheni dy herë kur t’i ndërhyni kundërshtarit”.





