Pasojat e divorcit mes çiftit janë të rënda dhe shpesh ata që mbesin më të lënduar janë fëmijët, krijesat më të pafajshme në debatet dhe sherret mes prindërve.

Dhuna në familje ka regjistruar një tjetër rast të rëndë në Durrës. 

Një çift nga Durrësi, megjithëse tashmë edhe Gjykata e ka thënë fjalën e saj dhe ata rezultojnë të divorcuar, duket se nuk i kanë sheshuar problemet mes tyre, madje ato mund të jenë përkeqësuar edhe më shumë pas ndarjes.

Policia e qytetit bregdetar njofton për një rast ekstrem, ku të dy ish-bashkëshortët i janë drejtuar komisariatit për denoncimin e dhunës së ushtruar ndaj njëri-tjetrit, madje burri ka shkuar edhe më larg duke akuzuar ish-gruan edhe për rrahje të dy fëmijëve të mitur.

Mësohet se një ditë më parë, 40-vjeçari L.K. dhe 39-vjeçarja F.K. kanë akuzuar njëri-tjetrin para efektivëve të policisë për ushtrim dhune fizike e psikologjike. Për të dy policia ka plotësuar kërkesë-padinë për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Ndërkohë, ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë për 39-vjeçaren, e akuzuar nga ish-bashkëshorti se ka dhunuar dy fëmijët e mitur, L.K dhe L.K, përkatësisht 11 dhe 6 vjeç. 

Njoftimi i policisë:

  • Më datë 01.02.2018, u referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, për shtetasen F.K vjeç 39, banues në Durrës, pasi në banesë, ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj dy fëmijëve të mitur, shtetasve L.K dhe L.K, vjeç 11 e 6, për të cilën ka bërë kallëzim ish bashkëshorti, shtetasi L.K, vjeç 40 banues në Durrës. Neni 130 i Kodit Penal.
  • Më datë 01.02.2018, u plotësua, për shtetasen F.K, vjeç 39, banuese në Durrës, pasi ish bashkëshorti L.K, vjeç 40, banues në Durrës, ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj saj. Materialet i kaluan Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës. Ligji nr.9669, datë 18.12.2006, “Për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”.
  • Më datë 01.02.2018, u plotësua kërkesë-padia për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme, për shtetasin L.K, vjeç 40, banues në Durrës, pasi ish bashkëshortja F.K vjeç 39, banuese në Durrës, ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj tij. Materialet i kaluan Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës. Ligji nr.9669, datë 18.12.2006, “Për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”.