I riu shqiptar Albion Kapedani, 29-vjeç ndërroi jetë mëngjesin e kësaj të premteje, në spitalin San Martino të Genovas, për shkak të plagëve të rënda që kishte marrë.

Prej gati 4 muajsh i riu shqiptar ndodhej i shtruar në spital, pasi ishte dërguar me urgjencë në 21 shtator të 2017, sepse kishte rënë duke përplasur kokën dhe shpinën, ndërsa tentonte të hipte në një tren në lëvizje, në stacionin e Sestri Levante, raportojnë mediet lokale.

Hetimet për këtë ngjarje vijojnë që prej asaj kohe dhe me vdekjen e të riut ato pritet që të marrin një tjetër rrjedhë. Nën hetim mësohet se janë makinisti dhe dy punonjës të tjerë të trenit. Pritet që tashmë, autopsia në trupin e Kapedanit të japë më shumë të dhëna për hetuesit.

Qëllimi i organit të akuzës është që të kuptojë nëpërmjet dëshmive të ndryshme dhe ndihmës së telekamerave në stacion nëse 29-vjeçari mbeti mes dyerve të trenit, pra nëse treni ishte vënë në lëvizje pa mbyllur më parë dyert.