Largimi i mjekëve specialistë drejt spitaleve të vendeve të Europës është ndjerë edhe në Durrës. Në spitalin e dytë më të madh në vend, ka mungesë të mjekëve specialistë.

Në pikun e numrit të vizitave në pediatrinë e qytetit, shefi i këtij reparti, mjeku Fatmir Shahini, tha se numri i mjekëve duhet të jetë më i lartë në urgjencën pediatrike.

Minimalisht duhen 5 mjekë, për tu plotësuar organika e pediatrisë. Nga 11 mjekë që po shërbejnë në total në pediatri, katër prej tyre janë mjekë që kanë dalë në pension prej disa vitesh, por që vijojnë të japin shërbimin e tyre me orar të plotë apo edhe të reduktuar në raste të veçanta.

Prej vitesh nuk janë punësuar mjekë të rinj e çka është më e rëndë, nuk ka as specialistë të mirëfilltë. Mjeku infeksionist dhe reanimator në pediatrinë e Durrësit, vijojnë të punojnë pa asnjë ditë ndërprerje në punë pavarësisht se e kanë mbushur moshën e pensionit. 

Nga tre mjekë që qëndrojnë në shërbimin e urgjencës pediatrike, minimalisht numri i tyre duhet të ishte 6 çdo ditë.

Durrësi së bashku me rrethinat ka një popullsi mbi 200 mijë banorësh, çka do të thotë se urgjenca pediatrike e spitalit të Durrësit ka përgjegjësinë kryesore për jetën e vogëlushëve që shkojnë aty për ndihmë.

Aktualisht mbi 200 fëmijë në ditë marrin ndihmë mjekësore në pediatri, 10 % e të cilëve shtrohen pas kompklikacioneve që paraqesin post virozës.

K.H.