Qendra për Nisma Ligjore Qytetare (QNL) në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës, ka organizuar një aktivitet ndërgjegjësues me temë “Rritja e ndërgjegjësimit të komunitetit mbi të drejtat ligjore të parashikuara në legjislacion”.
Ky aktivitet u organizua në kuadrin e projektit “Fuqizimi i grupeve të varfra dhe të margjinalizuara përmes ofrimit të ndihmës juridike falas dhe edukimit ligjor”, në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës, mbështetur nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim PNUD si dhe fonde të Qeverisë turke.
Në këtë takim merrnin pjesë drejtoresha ekzekutive e Qendrës për Nisma Ligjore Qytetare, av. Aurela Bozo, av.Alketa Kajmaku, av. Sonila Shehu si dhe qytetarë të shumtë të cilët përfitojnë shërbimet falas pranë kësaj zyre.
Avokatet e QNL-së prezantuan shërbimet që kjo zyrë ofron për njerëzit me nevojë juridike si dhe diskutuan më të pranishmit për punën e bërë deri më tani.
QNL e hapur disa muaj më parë në Durrës, ofron ndihmë juridike parësore dhe dytësore për shtresat vulnerabël. Sipas organizatoreve të takimit, deri më tani ndaj proceseve gjyqësore që janë mbyllur me përfaqësim nga avokatët e qendrës, janë marrë vendime në favor të tyre.
Gjatë diskutimeve u përmendën edhe raste konkrete, duke veçuar një 20-vjeçare që dhunohej nga bashkëshorti me të cilin kishte dhe një fëmijë.
Ndaj të resë u zhvillua proces gjyqësor zgjidhje martese, e aktualisht ajo ka nën kujdes të saj për rritje dhe edukim fëmijën me vendim të gjykatës pas divorcit. Vetë përfituesja e shërbimit e konsideron një rast suksesi.
G.D.





