Shkolla 9-vjeçare “Mihal Ekonomi” është renditur e para edhe këtë vit në Durrës, sipas analizës vjetore për shkollat e qarkut që kryen Drejtoria Arsimore Durrës. Analiza e punës vjetore që kryen DAR çdo vit, bazohet mbi kartën e performancës të hartuar nga Ministria e Arsimit.
Edhe në krahasimin e notës mesatare për lëndën e Matematikës me çdo shkollë tjetër të rrethit Durrës, “Mihal Ekonomi” renditet e para me notën mestare 8,5, ndërsa ajo e rrethit shkon në 6,3; pra me një diferencë prej 2,2.
“Mihal Ekonomi” është konsideruar si dallëndyshja e parë e arsimit jo publik në Durrës, e cila mban emrin e një prej profesorëve të nderuar të letërsisë e gjuhës shqipe në qytetin e Durrësit, i cili u nda nga jeta papritur në fillim të vitit 1990.
Ky institucion arsimor që numëron rreth 180 nxënës, konsiderohet elitë në qytetin e Durrësit, me një performancë të shkëlqyer në përgatitjen e nxënësve dhe në rezultatet e tyre. Në muajin nëntor të 2017-s, shkolla nën drejtimin e Elsa Ekonomit, festoi dhe përvjetorin e saj të 15-të, në një aktivitet të organizuar në sallën e teatrit “Aleksandër Moisiu”.
(Në fotot më poshtë, renditja e shkollave të Durrësit)





