DurrësLajm njoftoi më herët gjatë ditës, se drejtori i ndërrmarrjes së Pastrim-Gjelbërimit në Durrës, Sokol Sula u shpall fitues i konkursit për postin e drejtorit të Sigurisë Portuale.

Sula prej disa kohësh mbante postin e drejtorit të ndërrmarrjes së Pastrim-Gjelbërimit, në varësi të bashkisë Durrës, që nga dorëheqja e ish-drejtorit Luan Zaza, njëherësh kryetar i degës së PS Durrës.

Ish-drejtori Luan Zaza

Pas shumë vitesh në këtë post, Zaza u detyrua të jepte dorëheqjen, pasi kryeministri Rama u kërkoi krerëve vendorë të PS-së të mos mbanin detyra publike, por vetëm postin partiak. Zaza u zgjodh kryetar i degës vendore të PS-së me votat e anëtarësisë së socialistëve durrsakë në maj të vitit 2016.

Sula që i zuri vendin në postin publik ishte kryetar i degës së PS-së në Manzë dhe atij i faturohet edhe fitorja e PS-së në qershor të 2017-ës në këtë zonë, dikur bastion i PD-së.

Tashmë që Sula do të emërohet në postin e drejtorit të Sigurisë Portuale, ndërrmarrja e Pastrim-Gjelbërimit mbetet pa drejtues.

Drejtori Sokol Sula

Sipas burimeve të DurrësLajm pranë bashkisë së Durrësit, Sula do të qëndrojë në këtë post edhe javën e ardhshme, deri në emërimin e tij në postin e ri.

Ndërkohë emërimi i drejtorit të ti të Ndërrmarrjes së Pastrim-Gjelbërimit mbetet ekskluzivitet i kryebashkiakut Vangjush Dako.

Kujtojmë se Ndërrmarrja e Pastrim-Gjelbërimit është një nga institucionet kryesore në varësi të bashkisë së Durrësit.

Përveç përgjegjësisë direkte për mbajtjen pastër të qytetit, kjo ndërrmarrje është ndër institucionet vendore me numrin më të madh të punonjësve në varësi.

Pritet që ajo t’i besohet një figure të rëndësishme të PS-së durrsake dhe që gëzon mbështetjen e plotë të kryebashkiakut Dako.

M.B.