Ish-agjentë të CIA-s thuhet se kanë gjetur një nëndetëse që përdorej nga lordi kolumbian i drogës, Pablo Escobar për të trafikuar kokainë.
Sipas agjentëve nëse nëndetësja e gjetur është ajo e Pablo Escobar, atëherë mund të zbulohet edhe vendi i pasurisë së fshehur prej 50 miliardë dollarësh.
Përveç rrugëve tokësore dhe ajrore, Bosi i drogës përdorte dhe detin për të transportuar drogën nga Kolumbi në Porto Riko, e cila më pas hynte në territorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Daily Mail shkruan se ish-agjentët e CIA janë duke eksploruar në një zonë të panjohur jashtë brigjeve të Kolumbisë.
Discovery Channel ka ndjekur dy ish-agjentë të CIA-s që janë vënë në kërkim të pasurisë së Escobar.
Në një video të emisionit, i ngarkuar në kanalin e Discovery UK në YouTube, ish-agjentët e CIA-s Doug Laux dhe Ben Smith janë parë duke u zhytur në bregdet, por ende nuk kanë nxjerrë asgjë me vlerë.
Kamerat nënujore tregojnë sesi ata pastrojnë shtratin e detit dhe gjejnë një metal dhe një kuti, por nuk ka të dhëna të mëtejshme më të detajuara.
Megjithatë, grupi arrin në përfundimin se shtrati i detit mund të ketë zhvendosur rrënojat dhe ende shpreson ta gjejë nëndetësen në afërsi.





