“Nuk u bëjmë dot gjë shitësve ambulantë. Ata qëndorjnë jashtë mureve rrethues të shkollës dhe shesin ushqime për fëmijët. Ne si drejtori shkolle jemi të pafuqishëm për t’i ndaluar, janë autoritetet vendore që duhet të marrin masa në këtë drejtim, për të siguaruar shëndetin e fëmijëve. Ne e dimë që 5 fëmijët e shkollës tonë janë helmuar nga karamelet, sanduiçët apo nuk e di çfarë tjetër. Atë do ta zbulojnë autoritetet shëndetësore të cilat i vumë në dijeni”,– ka deklaruar për DurrësLajm drejtori i shkollës “Eftali Koçi”, Eduart Prenga.

Prenga sqaroi rrethanat në të cilat u helmuan prej ushqimit të konsumuar 5 fëmijë të klasës së pestë. Pesë 11-vjeçarët mësohet ti kenë konsumuar ushqimet që i helmuan rreth orës 16.00, kohë kur mbarojnë mësimet nxënësit e turnit të dytë.   

Njoftimi i policisë Durrës:

Më datë 22.01.2018, shtetasit L.R, K.N, L.L, F.Xh dhe F.H, vjeç 11, 11, 11, 11 e 11, banues në Durrës, nxënës në klasën e pestë të një shkolle 9-vjeçare kanë konsumuar në shkollë disa produkte ushqimore si haribo, byrek, hamburger e sanduiç dhe më pas kanë ndjerë shqetësime me dhimbje e të vjella, të cilat pasi kanë marrë mjekim në urgjencën e Spitalit Rajonal, janë larguar pa probleme për shëndetin. Materialet u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, për vlerësim.

K.H.