Që në fillimin e muajit janar të këtij viti, në zyrat e marrëdhënieve me klientin pranë Ujësjellës Kanalizime Durrës janë shtuar ndjeshëm radhët e qytetarëve për hapjen e kontratave të reja, instalimin e matësve dhe lidhjen e aktmarrëveshjeve për pagesën e faturave të prapambetura.
Sipas burimeve nga zyra e kujdesit ndaj klientit, vetëm në tri javët e para të muajit janar 2018 janë hapur 263 kontrata të reja, janë lidhur 431 aktmarrëveshje dhe 509 matësa të instaluar. Për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar janë regjistruar 41 kontrata të reja, 20 aktmarrëveshje si dhe 58 matësa të instaluar, duke përjashtuar instalimin e 1627 matësve të tjerë që u zëvendësuan për shkak të ngricave të muajit janar 2017.
Zyra e marrëdhënieve me klientin është duke punuar me personel të plotë për të përballuar fluksin e qytetarëve 6 ditë në javë nga e hëna deri ditën e shtunë.





