Shërbimi i Urgjencës në Pediatrinë e QSUT po përballet me një fluks tepër të lartë urgjencash, pasi për shkak të gripit sezonal, numri i fëmijëve të prekur ka qenë i madh. Megjithatë, specialistja e ISHP, Sivla Bino thotë se situata gripale në vend paraqitet më e butë se një vit më parë, kur sipas saj pati një fluks më të madh.
Në rubrikën “Opinion” në “News24”, Bino është ndalur edhe tek rasti i 7-vjeçares në Durrës, e cila ndërroi jetë në spital. Bino thotë se shenjat klinike që paraqiste vogëlushja nuk të çojnë tek gripi, por tek një infeksion i rëndë.
“Aktualisht kemi qarkullim intensiv të virusit të gripit, krahasuar me dy-tre javë më parë. Aktualisht qarkullojnë viruset B dhe AH1N1. Janë shënuar edhe raste të rënda. Rast vdekje ka patur vetëm një, i cili tashmë është raportuar. Pacienti ka patur probleme të tjera shëndetësore. Ndërsa rasti i vajzës 7-vjeçare është një rast fatkeq, që nuk mund të konstatohet ende nëse është grip apo ndonjë infeksion tjetër. Por shenjat klinike të vajzës nuk të çojnë tek gripi, por duket më shumë si një infeksion i rëndë”, u shpreh Bino. /BW





