Ditën e sotme, Departamenti i Pedagogjisë i FE të UAMD-së organizoi në Muzeun Arkelogjik të qytetit të Durrësit, workshop-in “Gjergj Kastrioti dhe koha e tij në vështrimet e artistëve”, ku i ftuar special ishte skulptori Qazim Kërtusha.
Ky workshop u realizua nga Prof. Asoc. Dr. Fjoralba Satka dhe Eduina Lushka në vijim të ekspozitës së artit pamor ‘Në gjurmët e Gjergj Kastriotit’, në kuadër të Javës së Gjergj Kastriot – Skëndërbeut në UAMD’, në bashkëpunim me Muzeun Arkeologjik dhe studiuesit e artit, të cilët kontribuan në realizimin e tij.
Pjesëmarrësit në këtë workshop ishin mësues të shkollave 9-vjeçare të cilët japin mësim lëndën e artit pamor, studentë të programeve master në Mësuesi të Fakultetit të Edukimit në Universitetin e Durrësit, dhe artistë të artit pamor.
Artisti Kërtusha, foli për bustet e skulptorit dhe të poetit Murat Toptani, bustin e Skëndërbeut ngritur në Kukës në vitin 1939 të Odhise Paskalit, monumentin e Skëndërbeut në Tiranë, grupin skulpturor në muzeun e Krujës dhe monumente dhe përmendore të Skëndërbeut, të cilat janë ngritur në shtete të tjera si Budapest, Gjenevë, Detroit, Itali, Miçigan etj., imazhet e të cilëve u siguruan personalisht nga pjesëmarrësit në workshop. Përjetimet dhe kujtimet personale me artistë të shquar shqiptar: Kristaq Rama, Muntaz Dhrami, Thoma Thomai, Danish Jukniu, Qazimi nuk nguroi t’i ndante me studentët, të cilët i shoqëronte një kuriozitet dhe dëshirë për të ditur akoma më shumë.
Piktorja Fjoralba Satka, diskutoi mbi mitin pamor në imazhet e Gjergj Kastriotit Skëndërbeut, duke u fokusuar në dy grupet e veprave artistike. Grupi parë ishin piktura, gravura dhe medalje të realizuara nga artistë europianë dhe turq në periudhën kur Skënderbeu ishte gjallë. Dhe grupi i dytë i veprave, ishin ato të cilat shprehnin vizionin shqiptar mbi heroin historik. Artistë bashkëkohorë si Toni Milaqi, dhe këndvështrimet e tyre të ndryshme ngjallën mjaft entuziazëm dhe debate midis pjesëmarrësve.
Ky workshop synonte të ofronte një rrugëtim për të njohur imazhin e heroit historik përgjatë komunikimit të artistëve në breza, si edhe të ndihmojë mësuesit në zhvillimin e ideve për aktivitete të ardhshme artistike, planifikuar nga ata, në kuadër të vitit të Skëndërbeut.
Pjesëmarrësit u ftuan të njihet praktikisht me mozaikën dhe procesin e realizimit të saj, ku ata nuk nguruan t’i bashkohen procesit të punës.
Në përmbyllje të këtij workshop-i, u zhvillua një vizitë e veprave të artit në hollin e Muzeut, shoqëruar me guidë të specializuar nga Muzeu.





