Portali “Mësues për Shqipërinë” merr dimension të ri dhe formësohet duke shtuar më shumë transparencën dhe besimin, se vetëm përmes tij mund të punësohesh në sistemin arsimor. Gjatë prezantimit të portalit të ri me të njëjtin emër, por me përbërje krejt të re, që nisi gati 3 vite më parë, ministrja e Arsimit Lindita Nikolla nga shkolla e mesme “Sinan Tafaj” në Tiranë siguroi mësuesit se ka marrë fund koha e mikut dhe e ndërhyrjeve nga politika për t’u emëruar mësues i fëmijëve shqiptarë.

Përmes këtij portali, shtoi Nikolla, do të ketë më shumë transparencë, efikasitet dhe vetë menaxhim të të dhënave për çdo mësues që do të konkurrojë për t’u punësuar.

Ministrja Lindita Nikolla nxiti mësuesit e rinj të aplikojnë në portal dhe të konkurrojnë, sepse punësimi do të ndodhë në bazë te meritokracisë së gjithësecilit, dhe jo sipas ndërhyrjeve përmes partive apo mikut më të fortë. Nikolla rikujtoi edhe një herë se 2018-a është viti i mësuesve, ndaj të cilëve do të drejtohet e gjithë vëmendja, që nga trajnimet dhe deri te rekrutimet e më të mirëve për t’u bërë mësues. 

Kjo reformë do të nisë me fakultetet e edukimit të cilat do të bëhen më tërheqëse për të thithur brezin e ri të maturantëve me mesataret më të larta. Portali është i hapur për të gjithë aplikantët nga sot deri më 31 janar për t’u bërë gati më pas në muajin shkurt për t’iu nënshtruar testimit që rendit arritjet e tyre.