Neglizhuan sëmundjen e vajzës së vogël, pasi kishin një fatkeqësi familjare, 7­-vjeçarja ndërron jetë në spitalin e Durrësit, pesë orë pasi mbërriti në gjendje të rëndë shëndetësore.

Amelia Sheqi, nxënëse e klasës së dytë, është dërguar në gjendje të rëndë në repartin e Pediatrisë dhe pak pas mbërritjes ka rënë në gjendje kome për të mos u zgjuar më. Me gjithë përpjekjet e mjekëve të Pediatrisë, vajza është ndarë nga jeta rreth orës 23:00 të së dielës, pesë orë pasi kishte shkuar në gjendje të fikëti.

Sipas deklarimeve që prindërit e vajzës kanë bërë në spital, prej dy ditësh e mitura nuk kishte ngrënë asgjë, ndërsa temperatura kishte filluar t’i binte pak nga pak.

“Kishim një fatkeqësi në familje, pasi kemi humbur babain. Gjatë këtyre ditëve ishim të angazhuar me varrimin dhe pritjen e vizitave që vinin për ngushëllim. Ndërkohë vajza ishte pa qejf. Prej dy ditësh, vajza ishte sëmurë, as hante dhe as pinte. Menduam se e kishte nga gripi, po ajo po rëndohej edhe më shumë. Të dielën asaj i ra imuniteti dhe njëkohësisht edhe temperatura. I ra të fikët. E çuam me urgjencë në spital, por me gjithë ndërhyrjen e stafit mjekësor, ajo ndërroi jetë pak orë pasi mbërriti në urgjencën e Pediatrisë. Jemi shumë të hidhëruar, nuk dimë çfarë të themi”, deklaruan prindërit e vajzës 7­vjeçare, e cila ndërroi jetë në duart e bluzave të bardha.

Në spitalin e Durrësit ka mbërritur një grup ekspertësh nga Ministria e Shëndetësisë për të verifikuar rastin në fjalë. Ndërkohë, edhe Prokuroria ka nisur hetimet për të verifikuar praktikën e ndjekur nga bluzat e bardha për të përcaktuar nëse ka apo jo neglizhencë nga stafi mjekësor. Oficeri i Policisë Gjyqësore mori në shqyrtim kartelën mjekësore të 7­ vjeçares.

Familja ka tërhequr menjëherë trupin e pajetë të vogëlushes dhe nuk kanë shfaqur asnjë ankesë kundrejt stafit mjekësor që asistoi në rastin e saj. Madje, prindërit e vajzës kanë refuzuar t’i bëhet ekspertiza mjekoligjore, duke lënë të kuptohet se nuk kanë asnjë dyshim për neglizhencë të mjekëve, ndërkohë që pranuan fatin e hidhur të humbjes së vajzës së tyre të vogël.

Familja Sheqi banon me qira në lagjen 16, të Durrësit, në të cilën ishte zhvendosur prej pak kohësh.  /Panorama