Teuta vijon me përgatitjet në tokën turke me nga dy seanca stërvitore në ditë. Gjatë kësaj periudhe ekipi ka punuar fort, në mënyrë që lojtarët të jenë në maksimumin e formës kur të rifillojë kampionati. Zv.trajneri Ilir Biturku shfaqet i kënaqur me punën që po bëjnë lojtarët në stërvitje, teksa vlerëson afrimet.
"Jemi të kënaqur me impenjimin dhe dëshirën e lojtarëve në stërvitje. Puna e tyre të jep shpresë për të ardhmen. Kushtet këtu janë shumë të mira dhe gjithçka është edhe më e lehtë. Gjatë kësaj periudhe kemi rritur intensitetin e përgatitjeve, në mënyrë që kur të fillojmë me kampionatin të jemi në kondicionin e duhur fizik", tha Biturku.
Si shfaqet gjendja e lojtarëve të afruar në merkaton e janarit?
Gjeorgjevski ka disa ditë më shumë se Bilali dhe Mustafov dhe qëndron më lart. Megjithatë, mund të them se të tre duan edhe disa ditë që të arrijnë në maksimumin e tyre. Element pozitiv për ne është fakti që të gjithë kanë qenë në aktivitet.
A janë nën presion lojtarët pas rezultateve zhgënjyes në fazën e parë?
Ajo që ka ndodhur i përket vitit të kaluar. Tani të gjithë po punojmë fort me një qëllim, të bëjmë ndeshje të mira dhe të ngjitemi lart. Të gjithë kanë besim te njëri-tjetri dhe besoj se, duke punuar fort në stërvitje dhe me dëshirën e madhe për të bërë mirë, do të dalim nga kjo situatë e vështirë, pasi kualitetet nuk është se na mungojnë.
A prisni akoma përforcime në merkato?
Deri tani kemi katër afrime bashkë me sulmuesin nga Mali. Një trajner gjithmonë kërkon të ketë sa më shumë alternativa, pasi konkurrenca e bën edhe më të fortë grupin. Drejtuesit janë në negociata dhe mund të ketë edhe disa afrime të tjera. E rëndësishme është që të afrojmë lojtarë cilësorë që bëjnë diferencën.
Është ende herët për të bërë parashikime, por me atë që keni parë deri tani ku mund të arrijë kjo Teutë?
Momentalisht jemi fokusuar vetëm te stërvitja dhe miqësoret. Po punojmë fort me qëllimin që të bëjmë ndeshje të mira, nuk më pëlqen të flas për kampionatin dhe ku do të jemi në fund të sezonit kur ne sapo kemi filluar me fazën përgatitore.





