Mjekët e spitalit të Durrësit dyshojnë se vdekja e 7-vjeçares është shkaktuar nga gripi toksik.
Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmje e së dielës, kur një vajzë 7 vjeçe humbi jetën pak orë pasi mbërriti në urgjencën pediatrike të qytetit me temperaturë të ulët.
Prindërit kanë deklaruar se vajza prej dy ditësh ishte me grip dhe refuzonte të ushqehej. Ata e dërguan në spital, por ajo kaloi në gjendje të pavetëdijshme duke rënë në koma. Gjyshja e vajzës ka thënë se kur e kanë dërguar në spital ka qenë me temperaturë 35.5.
Ndërkaq, shefi i Pediatrisë së Durrësit, Fatmir Shahini, ka deklaruar për “DurrësLajm” se vajza ishte prekur nga një formë agresive e gripit, i quajtur ‘gripi toksik’.
Pas vdekjes së vogëlushes, mjekët e spitalit të Durrësit janë mbledhur në këto çaste që të analizojnë rastin dhe zbardhjen e arsyeve që çuan në vdekjen e 7-vjeçares.





