Xhafa krijon Task-Forcë për operacionin që i dështoi që në nisje. Çfarë u tha dje mes tij, shefit të akuzës, SHISH, Drejtësisë, Ekonomisë, Pastrimit të Parave. Krerët e hetimit iu çojnë fjalë kriminelëve për nisjen e aksionit në shkurt dhe si u arrestua i sëmuri në karrocë invalidi si trafikant ndërkombëtar kokaine në Fier!

Dje, në Ministrinë e Brendshme u mblodhën krerët e institucioneve që merren me hetimin e krimit. Që nga hetuesit e parave që vijnë prej bandave kriminale, e deri te kryeprokurorja e re. Janë bashkuar dhe thuhet se kanë folur në lidhje me mënyrën se si do të operojnë për të fundosur krimin që sipas tyre e kanë ndarë në 38 dosje. Në fakt, një informacion që doli nga mediat britanike vetëm pak ditë më parë bënte me dije se ekzistonte një listë me 40 emra që përbënin edhe krimin e madh në vend, por që ministri i Brendshëm iu kishte thënë gazetarëve britanikë se nja 10 prej tyre e ushtrojnë aktivitetin jashtë vendi, ndërsa do të mbanin përgjegjësi vetëm për 30 prej tyre.

Por ditën e djeshme, këta zyrtarë u bënë bashkë dhe i treguan opinionit publik se kanë ngritur një grup pune, në formën e një Task-Force që sipas tyre do të jetë qendrore e nëpërmjet saj do të luftojnë këta persona që sipas tyre do të nisi ndëshkimi në muajin shkurt. Kështu, kushdo që e di që e ka emrin në listën e ministrit Fatmir Xhafa i duhet të ndërmarrë masat për të mbrojtur pasurinë. Ditën e djeshme nuk u fol për grupe kriminale por vetëm për shifra individësh, ndërkohë që nuk u dha asnjë informacion në lidhje me grupet e fuqishme me mbështetje politike që kanë kryesuar dhe kryesojnë trafikun e drogës jo vetëm mes Shqipërisë dhe Italisë por edhe përtej. Gjithsesi krerët e institucioneve u mjaftuan me faktin se kanë ngritur task-forcën dhe me të do të çojnë para drejtësisë kriminelët që i ka zbuluar “Forca e Ligjit”, ku në dy operacione edhe ka dështuar me të gjithë personat e ndaluar apo edhe të arrestuar!

Task-Forca Qendrore!    

Task-Force Qendrore Ndërinstitucionale mësohet se është mbledhur për planin e veprimit kundër krimit të organizuar “Forca e Ligjit”. Prokurorja e Përgjithshme Arta Marku, ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, ai i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj, zv. drejtori i SHISH, Helidon Bendo, drejtori i përgjithshëm i komanduar i Policisë, Rebani Jaupi dhe kreu i SHÇBA-së Eduart Merkaj, ranë dakord për përmirësimin e kuadrit normativ që lehtëson këtë bashkëveprim. Në këtë kuadër përfshihen dhe marrëveshjet e protokollet e bashkëpunimit përkatës, në respekt të kuadrit ligjor në fuqi. Nga ana e tij ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, njohu anëtarët e Task-Forcës Qendrore Ndërinstitucionale me ecurinë e procesit gjatë muajit dhjetor 2017.

Palët diskutuan mbi rolin dhe përgjegjësitë e tyre institucionale, koordinimin e procesit dhe garantimin e mbështetjes në vijim, për Task-Forcën Speciale në nivel qendror dhe rajonal, si struktura të posaçme të ngarkuara me përgjegjësi operacionale. Ata u dakordësuan për mbështetjen që secili prej tyre do t’i japë këtij procesi përmes Agjencive respektive të zbatimit të ligjit. Kështu u tha se bëhet fjalë për 38 dosje të bandave kriminale të identifikuara, që veprojnë brenda dhe jashtë vendit. Takimi zgjati më pak se një orë, ndërsa u bë me dije se në këtë Task-Force do të bashkohen ekspertët më të mirë të hetimit të krimit.

Sipas të dhënave mësohet se ministri i Brendshëm njohu anëtarët e Task-Forcës Qendrore Ndërinstitucionale me ecurinë e procesit gjatë muajit dhjetor 2017, hartimin dhe miratimin e kuadrit të nevojshëm ligjor, masat e marra për ngritjen e strukturave për të thithur në to ekspertizën më të mirë në fushën e hetimit policor, krijimin e mjediseve të përshtatshme të punës, krijimin e aksesit të nevojshëm në data-bazë të Agjencive të ndryshme shtetërore, punën që po bëhet për mbledhjen e informacionit dhe analizën e profilit të grupeve kriminale, veprimtarisë dhe aseteve të tyre, si dhe për mbështetjen e kontributeve konkrete të partnerëve ndërkombëtarë të atashuar pranë këtyre strukturave!

Përplasjet

Në kohën kur Policia thuajse ekspertët më të mirë i ka të implikuar në trafik-droge, të tjerë në kërkim dhe shumë prej ekspertëve të papunë ose të punësuar në struktura që skanë asnjë lidhje me hetimin e krimit, atij të organizuarit, ministri i Brendshëm premton se do të arrijë të godasë grupet e fuqishme kriminale. Ndërkohë që prokuroria ende nuk ka mundur të stabuilizojë raportin mes vetë kësaj instance, kujtojmë se jo pak herë prokuroria dhe policia janë përplasur për dekonspirim operacionesh apo edhe për lajmërimin e të kërkuarve, kryesisht në radhët e policisë që të largohen para se të hyjë për t`i ndaluar prokuroria.

Por edhe pse mund të pretendohet në rregullimin e këtyre marrëdhënieve institucionale, janë një sërë grupesh kriminale brenda dhe jashtë burgut në vendin tonë që janë përmendur edhe me emër nga ambasadori amerikan Donald Lu, që në fakt nuk përmenden fare në regjistrat kriminal që ka sot Forca e Ligjit e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafa! Edhe pse është dhënë sinjali që puna e madhe për t`i arrestuar dhe për tu marrë pasurinë do të nis në muajin shkurt, bëhet me dije se në lidhje me emrat që lidhen me trafikun ndërkombëtar të drogës nuk ka asnjë masë konkrete! Madje nuk dihet as në çfarë faze janë hetimet!

Dështimi

Mes nëntor 2017. U dha lajmi i madh i një goditjeje të madhe dhe mjaft të vështirë e policisë në Fier. Ishte goditur një grup i fuqishëm, po njëri nga tre personat e arrestuar rezultoi i sëmurë dhe që qëndronte në karrocë.  U tha se goditja e grupit të parë kriminal në qytetin e Fierit në kuadër të projektit të policisë “Forca e Ligjit” ka rezultuar një aksion i rëndomtë me tre të arrestuar, nga të cilët njëri paraplegjik me karrocë dhe dy të tjerë që u kapën me 133 gr hashash.

Gjykata e Fierit vendosi të lirojë njërin nga tre anëtarët e grupit kriminal, Kujtim Kuçin për arsye shëndetësore, pasi është i paralizuar dhe lëviz me një karrige me rrota. Ndaj tij rëndon akuza e armëmbajtjes pa leje, pasi iu gjet një pistoletë, ndërsa dy të tjerët, Dritan Tusha dhe Bashkim Ahmeto akuzohen për prodhim dhe mbajtje të lëndëve narkotike dhe janë lënë në burg nga gjykata deri në përfundim të hetimeve. Këto janë akuzat që policia u ka referuar tre të arrestuarve në Fier, në kuadër të goditjes së grupit të parë kriminal nga “Forca e ligjit”.

Prokurori Gina kallëzon Arta Markun: Ta hetojnë Krimet e Rënda!

Nuk dorëzohet Dritan Gina, ish-kryeprokurori i Elbasanit. Po ndërsa ka dorëzuar zyrën në duart e kolegut të tij, vetëm pas 24 orësh rezistencë, ai ka vendosur që për këtë lëvizje të shefes së tij t`u drejtohet kolegëve të Krimeve të Rënda me një padi të gjatë. Vetëm një ditë pasi u lirua nga detyra ai paraqiti një padi për shpërdorim detyre për kryeprokuroren e përkohshme, Arta Marku.

Pasi depozitoi vetë kallëzimin te Krimet e Rënda, Gina, para mediave tregoi edhe arsyen se përse kishte shkuar në Prokurori për të kallëzuar ish-kolegen që tashmë iu ka bërë shefe:“Sot u paraqita për të bërë kallëzim penal ndaj Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme, Arta Marku, si dhe kam kërkuar gjykimin e padisë civile në të njëjtin proces për cenim të figurës time si profesionist. Arta Markun e kam kallëzuar për shpërdorim detyre parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. Është kompetencë e Krimeve të Rënda për shkak të subjektit”!

Marrë nga "Shekulli"