Ajo është një 20-vjeçare me banim në Durrës, e cila këtë fillim viti është duke kryer procedurat e nisjes së divorcit.

20-vjecarja me origjinë nga Kukësi ka ardhur që e vogël në Durrës e tani është në dilemë të madhe për jetën e saj.

E gjejmë së bashku me familjarët në derën e Gjykatës së Durrësit, pasi ish-bashkëshorti edhe ai me origjinë nga Kukësi 27-vjeçar i ka kërkuar divorcin.

Në një intervistë për "DurrësLajm", 20-vjeçarja rrëfen se nuk e kishte pritur që do të divorcohej e aq më shumë do të mbetej pa të ardhme.

-Pse po divorcoheni cili është shkaku?

Ish-bashkëshorti më tradhtonte, dhe shkaku është tradhtia e tij.

-Kur u martuat?

Ne jemi martuar verën e vitit 2016 unë aso kohe 18-vjeçe dhe ai 25. Më mori në Itali, atje jetonte dhe punonte. Atje gjeta edhe vëllain e tij me nusen dhe jetonim dy kurora nën një shtëpi. Bëmë dasëm të dy palët, edhe im atë edhe ata.

-Cili ishte shkaku që solli këtë situatë?

E kapa disa herë në celular. Më tradhëtonte me ishin e tij. Pastaj i gjeta biseda shumë intime me një grua dy-fishin e tij në moshë. Edhe me femra të tjera bënte të tilla biseda. Mua më mbante mbyllur dhe bënte vetëm sherr. Të mendosh që ne sa ishim martuar dhe duhet të kishte vetëm lumturi. Dukej sikur më kishte marrë për grua me zor. Nuk arrita ta kuptoj dot asnjëherë se çfarë donte që flite me të tjera.

-Ish-bashkëshorti nga ishte?

Po me origjinë nga Kukësi. E kishte marrë vëllai i tij në Itali për të punuar. Kur erdhëm në gusht në Shqipëri qëndrova tek prindërit e mi, ndërsa ai iku në Itali dhe nuk kemi folur më. Tani na erdhi kërkesa në shtëpi që ka bërë akt-padi për ndarje.

-Ishte i dhunshëm?

Jo dhunë nuk përdorte fizikisht, vetëm me fjalë. Nuk më linte të dilja jashtë edhe pse unë nuk i dhashë kurrë shkak që të mendonte diçka të keqe për mua. Edhe i vëllai dhe kunata i flisnin që të sillej mirë me mua, por nuk nxinte mend.

-Po familja jote të mirëkuptoi?

U thashë se ai më tradhëtoi dhe pas kësaj ata më mirëkuptuan. Por kjo më ka vrarë shumë shpirtërisht.

-Çfarë do bësh tani?

Nuk e di sepse unë kam mbaruar vetëm 8 vjecaren, dhe jam në gjendje shumë të keqe shpirtërore. U martova 18-vjeçe dhe 20-vjeç ndahem. Dua të nis një jetë të re por nuk e di me çfarë sepse nuk kam as shkollë dhe as profesion. Pasi të ndahem do gjej një kurs profesonal. Ndoshta pas kursit do të kem mundësi të punoj të mos ju bëhem barrë të tjerëve.  Por e gjithë kjo është shumë e vështirë sepse divorci të shkatërron. Nuk patëm as fëmijë për aq kohë sa qëndruam bashkë. 

Për shkak të ruajtjes së privatësisë "DurrësLajm" nuk e publikon emrin e vajzës.