Vala Superliga e Kosovës i ka hapur dyert dhe po bën lëvizje të zgjuara për të rritur nivelin. Në Kosovë tregu i trajnerëve nuk është shumë i pasur dhe kjo ka bërë që pasi shumë klube i kanë provuar të gjithë, të hedhin sytë nga Shqipëria “mëmë”.

Vjet ishte Samuel Nikaj që drejtoi Flamurtarin e Prishtinës, ku më parë është aktivizuar Armando Cungu si lojtar. Shkodrani ia doli ta  ngjiste në Superligë skuadrën kryeqytetase dhe më pas u rikthye në Shqipëri dhe po drejton Kastriotin.

Bledi Shkëmbi e ka nisur karrierën e trajneri nga Liria e Prizrenit, ndërkohë që më pas Prishtinën e mori përsipër ta drejtojë Mirel Josa, kampion me Tiranën dhe Skënderbeun në Superiore.

Tashmë në krye të kampionëve të Trepça ’89 është zyrtarizuar Gugash Magani, trajneri që para pak ditësh mbylli aventurën e tij me Teutën dhe do tentojë të mbrojë titullin kampion me skuadrën nga Mitrovica.